Lajme

Ç’njohja e Togos, reagon Gërvalla

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka reaguar pas vendimit të Togos që ta bëjë ç’njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Derisa e ka quajtur propagandë të ministrit të jashtëm serb, Daçiq, ajo ka dhënë detaje për këtë çështje.

“Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka thënë se disa ‘Sllobo të Vogël po mundohen ta dëmtojnë Kosovën, por po dështojnë, pasi vendi do ta fitojë betejën, ashtu siç e ka fituar në 1999.

“Me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike. Dhe Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën. Daçiçi, Vuçiçi dhe të gjithë djelmoshat e tjerë të Kasapit të Ballkanit, ndoshta edhe mund ta fitojnë ndonjë sprint, por Kosova dhe qytetarët e saj përfundimisht do ta fitojnë maratonën, siç e kanë fituar në vitet e 90-ta. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të sakrificës së dhimbshme dhe kolosale në rrugën tonë drejt lirisë”, ka deklaruar Gërvalla.

Gjatë së hënës, shefi i diplomacisë së Togos, Robert Dussey, gjatë një vizite në Serbi, ka thënë se vendi tij ka marrë vendimin për ç’njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

/Shqip.com