Lajme Ballkan

Çitaku për dialogun: Kurti duhet të ketë takime në Washington me zyrtarë të lartë

Nënkryetarja e PDK-së

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke folur për dialogun Kosovë – Serbi, deklaroi se kryeministri, Albin Kurti, duhet të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të ketë takime me zyrtarë të lartë, përcjell Shqip.com.

Sipas Çitakut, Qeveria dhe institucionet tjera duhet të bëjnë shumë më shumë që t’i mirëmbajnë raportet me SHBA-në.

“Ne duhet ta kemi të qartë se ‘status quo’ nuk na konvenon neve si Kosovë. Ne duhet ta kemi ndjenjën e urgjencës. Ne duhet të trokasim në Washington. Dhe unë e ftoj kryeministrin që në vend se të debatojë publikisht me zyrtarë amerikanë, duhet të udhëtojë sa më parë në Washington. Ne nuk duhet t’i marrim të mirëqenia raportet me SHBA-në. SHBA nuk na kanë borxh të na qëndrojnë pranë, kur ka shumë sfida në nivel global.

Bota ka ndryshuar, është multipolare, ka qendra tjera gravitacioni në botë. Ne duhet të bëjmë shumë më shumë që t’i mirëmbajmë raportet me SHBA-në, dhe ne kemi parë një sjellje tërësisht të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës në raport me gazpërçuesin”, ka thënë Çitaku për Telegrafin.

Tutje, duke folur për dialogun, Çitaku u shpreh se Kurti është “peng i fjalëve të veta”, teksa thotë se ai duhet ta dijë se kur është në Bruksel, do ta ketë mbështetjen e PDK-së.

 “Nuk është se kam parë konsistencë nga ana e Qeverisë në raport me dialogun. Njëherë kanë thënë nuk e kanë prioritet fare. Pastaj kanë thënë se është prioriteti i shtatë. Kështu që nuk është se kam parë konsistencë. Kryeministri Kurti, unë mendoj se në raport me dialogun, është peng i fjalëve të veta”.

Kryeministri duhet ta dijë se kur shkon në Bruksel, kur ulet përballë Aleksandar Vuçiqit, Partinë Demokratike të Kosovës e ka mbrapa. Ne do t’i bëjmë opozitë Kurtit për çështje të brendshme. Mirëpo për disa pika të rëndësishme të politikës së jashtme, ne duhet të jemi në gjendje të ndërtojmë një konsensuse dhe të jemi bashkë”, ka shtuar ajo./SHQIP.com