Çitaku pas dorëheqjes së Ramës: Mehaj ka shkelur ligjin

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dorëheqjes së Rrahman Ramës nga pozita e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas saj, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë shkelje të rëndë të ligjit dhe marrëveshjeve ushtarake me SHBA-në.
Në media është raportuar se shkak i dorëheqjes ishte presioni politik i Mehajt, por vetë Rama publikisht nuk e ka pranuar.
Por, Çitaku thotë se me veprime të tilla cenohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate.
“Gjeneral Jasharajt i dëshiroj suksese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë”.
Ndryshe, gjatë ditës së martë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.
Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Osmani mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij./SHQIP.com