Çitaku: Kurti nuk na ka neve palë në negociata

Vlora Çitaku, nënkryetarja e Partisë demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në negociata e ka përballë Serbinë dhe emisarët specialë në mes. Sipas saj, Kurti atyre duhet t’ua thotë kushtet për Asociacionin dhe jo opozitës.
Ajo përmes një shkrimi në Facebook tha se PDK-ja mbështet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila ka në qendër njohjen reciproke.
Postimi i plotë:
Kryeministri nuk na ka neve palë në negociata.
Kryeministri në negociata e ka përballë Serbinë, dhe emisarët në mes. Me ta duhet të negociojë. Jo me ne. Atyre duhet thënë kushtet, e jo neve.
Për PDK-në, interesi i Kosovës është gjithmonë para kundërshtive të brendshme.
Për dallim nga Kryeministri, PDK është konsistente për dialogun. Ne mbështesim një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila në qendër ka njohjen reciproke.
Ndërkohë, për Kryeministrin, ballafaqimi me arkivat e lajmeve dhe rrëfimeve që i ka ndërtuar vet, duket të jetë më i vështiri.
/Shqip.com