Çitaku: Kosova të pranojë një numër refugjatësh nga Afganistani

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se “Kosova duhet të pranojë një numër refugjatësh nga Afganistani”.
Deklarata e saj, erdhi pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kumtoi vendimin e Tiranës për ta bërë një gjë të tillë.
“Ne në Kosovë e dimë shumë mirë ndjenjën e pafuqisë që vije në momemtin kur dëbohesh dhunshëm nga shtëpija. Dhimbjen dhe pasigurinë që të kaplon kur ndahesh pa dëshirë nga gjithcka që njeh dhe don”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Situata në Afganistan është e tensionuar pasi forcat ndërkombëtare u larguan.
Tash talebanët kanë vërshuar nga të gjitha anët në drejtim të Kabulit.
Pushtimi i tërësishëm i Afganistanit nga grupi militant është afër, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Por, bashkëpunëtorët e NATO-s janë të rrezikuar që të persekutohen, një pjesë e tyre veç ka ikur. /Shqip.com