Certifikatat e vaksinimit nga Kosova nuk pranohen nga BE për shkaqe teknike

Bashkimi Evropian ende nuk po i njeh certifikatat e vaksinimit kundër Coronavirusit nga Kosova, përcjell Shqip.com.
Kjo ka ndodhur për shkak të mos përmbushjes së kushteve teknike, raporton REL duke iu referuar burimeve të saja.
Sipas raportimit, përgatitjet për njohjen e këtyre certifikatave janë në vazhdim e sipër dhe se momentin kur përmbushen kushtet, edhe Kosova e Bosnje Hercegovina, mund të përfshihen në sistem.
Ndërkaq, sistemit të certifikatave të vaksinimit para dy ditësh i është bashkangjitur Mali i Zi, kurse më herët e kishin bërë edhe Shqipëria e Serbia.
Përfshirja e shteteve të treta në listën e Certifikatës Digjitale të Vaksinimit të BE-së mundësojnë që certifikatat e vaksinimit të lëshuara në ato vende me automatizëm njihen edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Kjo do të thotë se në secilin institucion, lokal apo vend në BE, QR kodet nga to do të mund të lexohen sikurse edhe të gjitha vërtetimet e ngjajshme të lëshuara nga autoritetet e vendeve anëtare.
Por, mospërfshirja e Kosovës në sistemin e certifikatës digjitale të vaksinimit të Bashkimit Evropian, po krijon pengesa praktike për personat që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian./SHQIP.com