Caktohet masa e paraburgimit për logopedin dhe dy personat që sulmuan atë në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit ndaj logopedit i cili dyshohet se ka abuzuar psiqikisht me një vajzë të vogël e cila ishte diagnostifikuar me autizëm.
Në njoftimin e GJTHGJ-së thuhet se masa e paraburgimit është caktuar edhe për personat të cilët dyshohet se e kanë sulmuar logopedin në fjalë.
“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve I. F., I. Sh. dhe R. V.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Po ashtu, thuhet se ekziston dyshimi se logopedi në fjalë ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe denigruse me të cilat ka ndikuar në keqësimin e shëndetit të fëmijës.
“Ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri I. F., me datë 26 nëntor 2022, në intervalin kohor prej orës 10.00-11.00 minuta, në ordinancën private, në cilësinë e mjekut Defektolog –Logoped, haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit, ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmijut të moshës 3 vjeçare, me gjendje të autizmit, ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese… përmes të cilave ka ndikuar në keqësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijut”.
Gjithmonë sipas njoftimit të GJKGJ-së, dy të dyshuarit e tjerë dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj logopedit pas marrjes së informacionit se ky i fundit ka keqtrajtuar fëmijën.
Të pandehurit I. Sh. dhe R. V… në lokalin që ndodhet në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, në bashkëkryerje dhe me përdorimin e atëqasshëm të dhunës, për shkak të trajtimit të pandërgjegjshëm të fëmijut me autizëm, me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurit tani të dëmtuarit I. F., ashtu që fillimisht i pandehuri I. Sh., i revoltuar nga sjellja e mjekut ndaj fëmijut, hynë dhe i drejtohet të dëmtuarit duke e fyer me fjalë të ndryshme ofenduese, e më pas e sulmon duke e goditur me grusht në fytyrë”.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
/Shqip.com