Lajme

Cakolli kërkon dorëheqjen e ambasadorit Berishaj, deri kur afera ku ai përfshihet të sqarohet

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se ambasadori kosovar në Kroaci, Martin Berishaj duhet të jap dorëheqje nga pozita e tij, derisa afera ku ai përfshihet nga mediat sllovene, të sqarohet.

Sipas Cakollit, skandali ku supozohet se është përfshirë Berishaj, është i karakterit ndërkombëtar.

“Skandali ku supozohet se është i përfshirë Martin Berishaj është i karakterit ndërkombëtar. E duke qenë se Berishaj është përfaqësues i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, kjo e bën momentalisht krejt jorelevant faktin se a mund të jetë kjo shpifje dhe lojë politike në kuadër të garës zgjedhore në Slloveni, apo jo. E rëndësishme është që përfolja në skandale e një ambasadori të shtetit, e cenon kredibilitetin dhe imazhin e Kosovës”, ka shkruar Cakolli.

Ai gjithashtu ka thënë se përpjekjet e krerëve institucional për t’a mbrojtur publikisht ambasadorin Berishaj nuk i ndihmojnë as atij e as Kosovës dhe sipas tij kjo shkaktonë veç dëm.

“Ndryshe, ambasadori Berishaj – me gjithë kontributin dhe bagazhin e madh që bart – do të duhej që vet të ofrojë dorëheqjen, e të mos pranojë që të jetë pjesë e përplasjeve e lojërave politike edhe në Kosovë. Kjo, të paktën deri sa të sqarohet plotësisht çështja dhe të ketë një epilog gjyqësor”, ka shkruar Cakolli.

Mediat sllovene raportojnë se kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Në këtë aferë ku dyshohet për shpëlarje parash, është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në dhjetor të viti 2021./Shqip.com