Kulturë Kino

“Burrnesha”- koncepti i lirisë, vjen me premierë në Prishtinë

Shfaqja “Burrnesha”, me regji të Erson Zymberit, më datën 10 maj do të jetë premierë në Teatrin Oda në Prishtinë.

Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezentimeve publike në London University.

Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sosen takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale.

Sipas njoftimi, “Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi çështje gjinore, si dhe adreson konceptin e lirisë, respektivisht mos-lirisë në shoqëritë me vlera, koncepte e konstrukte të ndryshme shoqërore.

Ky është produksioni i parë në gjuhën shqipe i kësaj drame. Më herët ajo është vënë në skenë në gjermanisht, në Zvicër, si një bashkëprodhim i forever productions, Schlachthaus Theater Bern, Theater Winkelwiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur.

Ndërkaq, reprizat e radhës janë paraparë për datat 11 dhe 12 maj, po në teatrin Oda në Prishtinë.