Kulturë

Botohet vepra “Kalamajtë e Pallatit tim” të shkrimtarit Bedri Dedja

Kolonës letrare të veprave të shkrimtarit të njohur, Bedri Dedja, i shtohen titujt e dy romaneve të tjerë për fëmijë “Kalamajtë e Pallatit tim” (1 dhe 2): vepër kjo, që ka shënjuar fëmijërinë e shumë brezave fëmijësh shqiptarë, brenda e jashtë kufijve, e që vjen në Panairin e Librit 2022 në Tiranë me ilustrime të reja e mjaft tërheqëse nga Ildi Hoxha dhe Tiziana Lohja.

“Në faqet e këtyre dy romaneve, fëmijët do të njihen me lojërat, shqetësimet dhe gëzimet e bashkëmoshatarëve të tyre të një kohe te shkuar dhe të një rendi tjetër shoqëror. Ngjarjet ndodhin në një pallat te Tiranës, në një shkollë, në rrugët e kryeqytetit, e më tej, edhe në një zonë malore e bregdetare. Këto dy romane janë rrëfimi i qartë e i vërtetë i kësaj epoke, të cilën fëmijët e sotëm nuk kane mundur ta njohin dhe kjo ndjenjë dhe atmosferë është dhënë me vërtetësi të madhe artistike nga autori”, ka thënë në një postim në Facebook Edlira Dedja, e bija e shkrimtarit Bedri Dedja.

Por, ky libër mund të lexohet me kënaqësi edhe nga të rriturit, pasi ata do të gjejnë në rrëfimet e tij gjurmët e fëmijërisë së tyre, do t’u ringjallen kujtime, të cilat tashmë mund të jenë të harruara, nga Shqipëria e dikurshme dhe jeta e thjeshtë që sot nuk ekziston më.

Vepra për fëmijë “Kalamajtë e Pallatit tim” (1 dhe 2) vjen nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Albas”, me seli në Tiranë.

/Shqip.com