Kulturë

Botohen dy libra mbi krimet serbe në Ballkan

Libri i parë flet për krimet serbe ndaj shqiptarëve në fillim të shekullit XX, ndërsa i dyti për krimet në Bosnjë në fund të shekullit XX.

Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja” sapo ka nxjerrë nga shtypi dy libra që flasin për krimet serbe në Ballkan. I pari “Golgota shqiptare 1912-1913”, i shkruar nga shkrimtari austriako-hebre Leo Freundlich dhe i përkthyer nga Arsim Buxhovi, flet për masakrat serbe ndaj shqiptarëve në kohën e luftërave ballkanike dhe në prag të Luftës së Parë Botërore.

Leo Freundlich “Golgota shqiptare 1912-1913”

Shkrimtari hebre Leo Freundlich, me banim në Vjenë, është njëri ndër intelektualët e paktë që mbajti koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës, që tregonin mbi shfarosjen e së paku një gjysmë milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913. I revoltuar, ai ngriti zërin e tij kundër asaj që ai e quajti ‘Golgota shqiptare’, që u shoqërua nga masakra të atij tipi që nuk i kishte njohur bota më parë. “Unë e dënoj dhunën që ushtrohet padrejtësisht ndaj çdo populli. Ai që nuk bën kështu sot, të mos çuditet nëse nesër edhe ai vetë do të bëhet viktimë e një Golgote tjetër”, thotë shkrimtari hebre.

Lufta e serbëve kundër shqiptarëve, nuk kishte karakter pushtues, por shumë më tepër. Ajo mori karakterin e spastrimit etnik dhe synonte që brenda një kohe të shkurtër t’i tregonin botës se shqiptarët qenë zhdukur nga Ballkani. Pikërisht për këtë arsye, ata i quanin shqiptarët turq dhe me këtë justifikim ose i shpërngulnin ose i masakronin. Freundlich i përshkruan masakrat e serbëve në vjeshtën e vitit 1912 – pranverën e 1913 në trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni kështu: “Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mund t’u shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin më pas, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku, vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve”.

Libri tjetër, “Këta nuk do ta shkelnin as buburrecin”, i shkruar nga shkrimtarja e njohur kroate Sllavenka Drakuliq dhe i përkthyer nga Alfred Beka, flet për gjykimin në Gjykatën e Hagës të kriminelëve të luftës në Bosnjë.

“Në Bosnjë, ku serbët, kroatët dhe myslimanët jetonin së bashku, lufta filloi në prill të vitit 1992. Për shkak të popullatës së përzier, ajo mori edhe karakteristikat e një lufte civile. Minoriteti serb atje, i “mbrojtur” nga Millosheviqi, shpalli shtetin e pavarur të Republikës Sërpska. Duke mos qenë në gjendje të parandalonte as Kroacinë dhe as Bosnjën që të largoheshin nga Jugosllavia, Millosheviqi – së bashku me serbët nga Republika Sërpska – tani filloi një luftë për një “Serbi të Madhe”. Pasoi rrethimi dyvjeçar i Sarajevës dhe, disa vite më vonë, enklava myslimane e Srebrenicës, e mbrojtur nga OKB-ja, ra në duart e ushtrisë së Republikës Sërpska. Rreth shtatë mijë myslimanë të paarmatosur u ekzekutuan – masakra më e madhe në Evropë që nga viti 1945”, kështu shkruan autorja kroate.

Të dy librat i gjeni nëpër libraritë kryesore të Prishtinës, ndërsa mund t’i porositni edhe online në faqen e facebook-ut të Shtëpisë Botuese “Jakup Ceraja”.

/Shqip.com