Borrell del pro votimit të serbëve nga Kosova në referendumin e Serbisë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka dalur haptazi pro votimit të serbëve të Kosovës në referendumin e Serbisë, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Twitter, Borrell tregoi se ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, njerëzit duhet të kenë të drejtën për të votuar, duke përmendur se në të kaluarën një proces i tillë është bërë nga OSBE-ja në Kosovë.
“Dje fola me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin për mbledhjen e votave në Kosovë për referendumin kushtetues në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën është lehtësuar nga OSBE-ja. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, shkroi Borrell.
Spoke to @albinkurti & @predsednikrs yesterday regarding the collection of votes in Kosovo for Sunday’s constitutional referendum in Serbia.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) January 13, 2022
Collection of votes in the past has taken place through facilitation of the @OSCE. People should be able to exercise their right to vote.
Ndërkaq, mbrëmjen e së mërkurës, Kurti tha se në bisedën e zhvilluar me Borrellin, e ka kundërshtuar këtë, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk zbatohet në asnjë vend demokratik.
“Në telefon me Borrellin, ripërsërita qëndrimin tonë se serbët e Kosovës me dyshtetësi mund të votojnë në referendum me postë apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. “Mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në territorin e një shteti sovran nuk është praktikë e pranueshme nga ndonjë vend demokratik”, kishte shkruar Kurti./SHQIP.com