Borrel: Rruga drejt BE-së lidhet me zbatimin e marrëveshjes

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka ripërsëritur se Kosova dhe Serbia mund t’i bashkohen familjes evropiane, vetëm atëherë kur t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura.
Sipas tij shtetet që luftuan në të kaluarën, duhet të kenë fqinjësi të mirë dhe të jenë partnerë.
“Zbatimi i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të marrin fund. Atmosfera negative dhe mungesa e konstruktivitetit gjithashtu duhet të ndryshohen. Të jesh anëtar i Bashkimit Evropian do të thotë të jesh në gjendje të bashkëpunosh dhe të veprosh si fqinjë i mirë, duke kapërcyer të gjitha vështirësitë e së kaluarës”, ka deklaruar Borrell para gazetarëve pas takimit me ministrat e punëve të jashtme të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka thënë se në këtë takim janë dhënë mesazhe të forta se BE dëshiron të avancoj procesin e zgjerimit, derisa shtoi se Serbisë i është bërë e ditur se mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë, nuk është në përputhje me procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
/Shqip.com