Borell: Kosova të implementojë marrëveshjen për Asociacionin dhe vendimin për Manastirin e Deçanit

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell gjatë ditës së sotme ka kërkuar nga Kosova që të implementojë marrëveshjen për Asociacionin dhe vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit.
Borrell ka thënë se BE-ja ia ka përkujtuar vazhdimisht Kosovës që ta zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit dhe marrëveshjen për themelimin e Asociacionit.
“BE-ja vazhdimisht u ka përkujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë me shpejtësi dhe në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme. Të dyja palët, Kosova dhe Serbia ranë dakord për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja ishte ratifikuar nga parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet të përmbushë detyrimin e saj ligjor dhe të zbatojë atë pa vonesa. Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara”, ka thënë Borell.
Tre ditë më parë, Komunat në veri të Kosovës të banuara më shumicë serbe, janë zgjuar mëngjesin e 1 gushtit me mesazhin “Mirë se vini në Asociaciaonin e Komunave Serbe”.
Mesazhet janë shfaqur në shëtitoren kryesore në pjesën veriore të Mitrovicës si dhe në hyrjet e qyteteve të tjera.
Të dielën, Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Për këtë Kurti ka thënë se Kosova e ka Asociacionin e Komunave, e që i mjafton./Shqip.com