Bordi merr vendim që pagat e zyrtarëve dhe stafit të AKP-së të ulen për 30 për qind

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në mbledhjen e mbajtur të hënën ka marrë vendim që pagat e zyrtarëve të lartë dhe stafit të AKP-së të ulen për 30 për qind.
Sipas njoftimit, ky bord ka udhëzuar Menaxhmentin që në kuadër të strukturës së re organizative dhe në përputhje me “aktivitetin në ulje” të AKP-së, të përgatis Rregulloren e re të pagave.
Po ashtu bëhet e ditur se Bordi në këtë takim ka diskutuar edhe mbi kompensimet e anëtarëve të saj.
Me këtë rast ka marrë vendim që kompensimi për anëtarë të Bordit të zvogëlohet në mënyrë lineare për 30 për qind.
“Si dhe vendosi që kompensimi për anëtarët e Bordit të Drejtorëve të bëhet mujor (fiks) duke eliminuar pagesat për takime, që efektivisht pothuajse përgjysmon kompensimin e anëtarëve të Bordit”, thuhet në komunikatën për media.
“Bordi i Drejtorëve shqyrtoi dokumentet të cilat do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e draft strategjisë për finalizimin e procesit të privatizimit duke konkluduar që deri në aprovimin e këtij drafti të vazhdoj pezullimi i shitjeve sipas kërkesës së Qeverisë, ndërkaq udhëzoi menaxhmentin që të vazhdohet me qiradhënie të rregullt të aseteve shoqërore sipas rregullores në fuqi për periudha 1 vjeçare me mundësi vazhdimi.”
“Pas shqyrtimit dhe diskutimit mbi buxhetin e AKP-së për 2021, Bordi i Drejtorëve paraqiti vërejtjet e tij dhe kërkoi sqarime shtesë lidhur me disa zëra buxhetor pas të cilave do të shqyrtoj dhe aprovoj buxhetin në mbledhjen e radhës”./SHQIP.com