Lajme

Boletini: Kandidatët po i përgjerohen politikanëve që të zgjedhen në krye të RTK-së

RTK

Qëndrimi i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës është se vlerësimi i kandidatëve për drejtor të RTK-së është zhvilluar pa ndërhyrje ku të pranishëm në këtë proces ishin edhe monitoruesit. 

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini deklaron se secili anëtar ka vlerësuar kandidat në bazë të gjykimit të vet dhe në këtë mënyrë janë ndarë edhe pikët. 

Ai thotë se ka një tendencë që puna e Bordit të njolloset dhe disa nga kandidatët po tentojnë që te gjejnë aleancë me politikën me shpresë se kjo gjë mund t’iu ndihmojë në zgjedhjen e tyre në krye të RTK-së. 

“Kandidatët duhet ta kuptojnë se pozitën e drejtorit nuk mund ta fitojnë përmes takimeve të fshehta me grupe të interesit, përgjërimeve para deputetëve dhe ministrave, por vetëm përmes integritetit, vizionit dhe profesionalizmit, që ata duhet ta tregojnë në intervistë me gojë. Aty do të vlerësohet secili me objektivitet. Aty do të jenë të gjithë monitoruesit që do ta shohin përformancën dhe vlerësimin e secilit kandidat dhe pikët e secilit anëtar”, ka shkruar Boletini.

Ndryshe në garën për drejtor të RTK-së kanë konkurruar Arben Berisha, Fahredin Shehu, Valentina Saraçini, Fisnik Durguti, Adriana Kutllovci, Gjergj Filipaj, Hysen Hundozi, Fadil Hoxha, Orhan Hajrizi, Bekim Hasani, Shkumbin Ahmetxhekaj.  Dy kandidatët më të vlerësuar në këtë konkurs janë Shkumbin Ahmetxhekaj dhe Bekim Hasani. /Shqip.com