Bloomberg: Perëndimi nuk mund të lejojë që Kosova të zhbëhet

Mediumi prestigjioz amerikan, Bloomberg, në një analizë të publikuar të enjten, ka bërë thirrje që shtetet perëndimore t’i kushtojnë vëmendje më të madhe situatës në Kosovë.
“Përshkallëzimi i tensioneve midis qeverisë së Kosovës dhe pakicës etnike serbe të vendit kanë ngritur mundësinë e ripërtëritjes së luftimeve që mund të tërheqin Serbinë fqinje dhe të rrezikojnë 3 mijë e 700 trupat e NATO-s të stacionuara ende në Kosovë”, thuhet në analizën e publikuar.
Po ashtu sipas mediumit amerikan, mosmarrëveshje Kosovë-Serbi mund të duket si shpërqendrim por do të ishte një gabim.
“Teksa qeveritë perëndimore janë të fokusuara në Ukrainë, mosmarrëveshja e gjatë Kosovë-Serbi mund të duket si shpërqendrim, por injorimi i problemit do të ishte një gabim. SHBA-ja dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi dyja palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të shmanget një luftë tjetër ballkanike, para se të fillojë”, thuhet tutje në këtë analizë.
Po ashtu flitet edhe për marrëveshjen përfundimtare midis Kosovë dhe Serbisë.
“BE-ja ka caktuar një afat kohor deri në mars për Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Edhe pse perspektivat për sukses duken të zbehta. Evropa nuk mund të përballojë një luftë tjetër. Parandalimi i një të tillë do të kërkojë rritjen e angazhimit në rajon dhe mbështetjen te të gjitha palët për të rifilluar dialogun. Diplomatët perëndimorë duhet t’i bëjnë presion Kurtit që të pezullojë politikat që shihen si provokuese nga pakica serbe e Kosovës, për sa kohë që serbët të ndalojnë sulmet e policisë dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë”.
Bloomberg shkruan se Beogradi duhet të angazhohet që në një afat kohor ta njohë Kosovën.
“BE-ja duhet të përjashtojë avancimin e kërkesës së Serbisë për anëtarësim në Bashkim Evropian, derisa Beogradi të angazhohet për një afat kohor për njohjen e sovranitetit të Kosovës. Nga ana e saj, SHBA duhet t’u bëjë të qartë liderëve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren nuk është e pacaktuar. Mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore për Kosovën duhet të kushtëzohet nga shenjat e përparimit drejt një zgjidhjeje paqësore që u jep komuniteteve serbe një vetëqeverisje më të madhe”, shkruan Bloomberg.
Diplomacia e qëndrueshme perëndimore është e nevojshme për të shmangur një luftë tjetër në rajon dhe për të filluar ndërtimin e një të ardhmeje më shpresëdhënëse për popullin e tij, thuhet më tutje.
/Shqip.com