Blloku B2 mund të rikthehet në prodhim kah mesnata

Blloku B2 i Termocentralit Kosova B mund të rikthehet në funksion kah mesnata, pasi po bëhen testet e fundit në këtë bllok pas remontit.
Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Skënder Bucolli, i cili tha se puna për rikthimin në funksion të këtij blloku ka përfunduar sipas dinamikës së paraparë.
Tani, siç tha Bucolli, e gjithë puna në këtë drejtim, është në fazën e inspektimit.
“Puna ka përfunduar sipas dinamikes se paraparë dhe tash po bëhet inspektimi, tash jemi në fazën e testimeve dhe startimit. Sipas parashikimeve preliminare gjasa ka që të kthehet sonte”, ka thënë Bucolli për media.
Sipas tij, nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, me rikthimin e Bllokut B2, Kosovës i shtohen edhe 250 megavat – orë energji elektrike.
Ndërkaq, për ta kthyer në funksion këtë njësi prodhuese, KEK-u kishte angazhuar një ekspert gjerman, për të cilin ishin ndarë 250 mijë euro.
Kurse, si pasojë e mosprodhimit të rrymës nga kjo njësi, shteti kishte importuar 50 milionë euro më shumë energji elektrike.
Por, kthimin në funksion të B2-së më 20 janar, e kishte paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në KEK./SHQIP.com