Bislimi takohet me homologun e tij nga Mali i Zi, flasim për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u pritën në takim në Podgoricë nga zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Ervin Ibrahimovic.
Palët biseduan në takim për projektet e përbashkëta, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, tejkalimin e barrierave ekzistuese dhe lehtësimin e procedurave administrative.
Zëvendëskryeministri Bislimi foli rreth procesit të integrimit evropian pas edhe aplikimit për anëtarësim në muajin dhjetor, duke vlerësuar mbështetjen e Malit të Zi për rrugëtimin evropian të Kosovës.
“Nga Mali i Zi mund të përfitojmë bashkërisht nga eksperienca në proces dhe të ecim drejt objektivit të përbashkët të aderimit në familjen evropiane. Kosova dhe Mali i Zi përkasin në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Bislimi.
Në takim u bisedua dhe në lidhje me projektet infrastrukturore ku Ministri Aliu shprehu se do të punojnë me intensitet për të avancuar dhe çuar para ndërtimin e rrugëve Pejë-Rozhajë dhe ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.
Këto projekte sipas Aliu janë të shumëpritura për qytetarët e të dyja vendeve, me rëndësi madhore për infrastrukturën dhe ekonominë dhe projekte kombëtare që lehtësojnë ndërlidhjen e qytetarëve të Kosovës me Malin e Zi.
/Shqip.com