Bislimi takon deputetin gjerman, diskutojnë për rrugtimin evropian të Kosovës

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim deputetin e Bundestagut gjerman, Christoph Ploss.
Në këtë takim u diskutua dhe mbi rrugëtimin evropian të Kosovës.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.
“U diskutua dhe mbi rrugëtimin evropian të Kosovës, ku zëvendëskryeministri Bislimi përmendi se vendi ynë ka përafruar politikën e jashtme me atë të BE-së, kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe së fundmi për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe janë bërë hapa përpara drejt liberalizimit të vizave, ku sot dhe u miratua nga ambasadorët e BE-së teksti mbi liberalizimin”, thuhet në njoftim.
Më tutje Bislimi është shprehur se Gjermania është një nga aleatët më të fuqishëm dhe shtet mik i Kosovës.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë, vijojnë e thellohen në kuadër dhe të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona në fusha me interes të përbashkët strategjik. Energjia e ripërtëritshme dhe agjenda e gjelbër qëndrojnë lart në agjendë dhe mbështetje të Gjermanisë ndaj Kosovës”, është shprehur Bislimi.
Deputeti gjerman gjatë ditës së sotme ka zhvilluar edhe një takim me deputetët e Kuvendit të Kosovës ku është diskutuar për situatën politike dhe atë të sigurisë.
/Shqip.com