Bislimi i reagon pretendimeve të mediumit serb: Janë të pavlera dokumentet për draftin e Asociacionit që bëhen nga OJQ-të

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se janë të pavlera të gjitha dokumentet që hartohen për draftin e Asociacioni të komunave me shumicë serbe nga organizata joqeveritare.
Ai tha se këto nuk janë veprime të Qeverisë dhe i shohin si të pavlera.
“Jam zëvendëskryeministri i Kosovës, nuk mund ta kontrolloj çka bëjnë OJQ-të në Serbi, të gjithë janë të lirë të hartojnë drafte, por ato nuk janë veprime zyrtare të qeverisë tonë dhe i shohim të pavlera”, tha Bislimi në konferencën e sotme pas takimit që pati me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky.
Sot gjatë ditës mediumi serb Novosti ka raportuar se fondacioni gjerman, “Friedrich Ebert Stiftung” (FES) dhe Institutit Evropian për Paqe (EIP) u është besuar detyra e hartimit të Statutit të Asociacionit të Komunave Serbe.
Sipas burimeve diplomatike të këtij mediumi, një takim është organizuar në Beograd gjatë së martës, në hapësirat e “Aeroklubit”, që është ndjekur nga përfaqësuesit e OJQ-ve nga Serbia dhe Kosova, misionet ndërkombëtare me bazë në Kosovë, sikurse edhe diplomat gjermanë.
Atyre u është prezantuar drafti i statutit të asociacionit, për të cilin ata do të japin komente dhe sugjerime.
Pala serbe u përfaqësua nga Milica Andrić Rakić, Jovana Radosavljević, Aleksandar Rapajić, si dhe Jovana Spremo nga Beogradi, nga JUKOM.
Mediumi serb pretendon se pala e tretë do të jetë Gjermania, për të cilën shkruan se është e përfshirë drejtpërdrejt në proces përmes FES-it dhe thotë se në takim u tha se Berlini zyrtar është i hapur për sugjerime./SHQIP.com