Bislimi dhe Hovenier flasin për implementimin e marrëveshjes me Serbinë

Implementimi i Marrëveshjes Bazë të normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit të Zbatimit, ka qenë tema kryesore e diskutimit mes zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Në njoftimin e qeverisë është thënë se shefi i delegacionit të Kosovës për dialog, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar, aktive dhe konstruktive në këtë proces.
Nga ana tjetër, ambasadori Hovenier e përgëzoi dhe uroi zëvendëskryeministrin Bislimi mbi finalizimin dhe arritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënshkrimit zyrtar duke e cilësuar ditën e djeshme të suksesshme.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Qeveria do të nisë një fushatë informimi për qytetarët, si dhe do të forcojë mekanizmat koordinues institucionalë e do të bashkëpunojë dhe me partnerët.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri strategjik kryesor i Republikës së Kosovës. Thellimi i marrëdhënieve mes dy shteteve tona është objektiv primar dhe vizita e zëvendëskryeministrit Bislimi me ministrin Murati javën e kaluar në SHBA e riafirmoi dhe synimin për të vazhduar fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare mes nesh”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
/Shqip.com