Biserko skeptike se Serbia do t’i hapë arkivat e krimeve të luftës në Kosovë

Deklarata për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik, sjell shpresë të re sepse palët janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si ‘konfidenciale’.
Ky është konstatimi i Bekim Blakajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës dhe Sonja Biserkos nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Ata nënvizojnë se kjo është hera e parë që të dyja palët angazhohen për të lejuar qasje në “dokumente të ndjeshme” për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Mbi 1,600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se i jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Blakaj dhe Biserko theksojnë se Deklarata për Personat e Zhdukur këtë herë është “më e fortë” sepse është pjesë e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të BE-së dhe se do të ketë pasoja nëse palët nuk e respektojnë atë.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën të dyja palët e pranuan në fund të shkurtit, dhe Aneksi për zbatimin e saj nga marsi, është përfshirë në kornizën negociuese të Kosovës dhe Serbisë në procesin e integrimeve evropiane.
Kështu, të dyja palët pranuan se “çdo mospërmbushje e detyrimeve nga Marrëveshja apo Aneksi, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative”.
A ka një vullnet të vërtetë për t’i hapur arkivat?
Edhe pse politikanët nga të dyja palët pretendojnë se institucionet do të jenë transparente – të cilën e kanë obliguar me Deklaratën për Personat e Pagjetur – Bekim Blakaj dhe Sonja Biserko theksojnë se “nuk do të jetë aq e lehtë”.
“Nuk besoj se palët do ta vënë kaq lehtë dokumentacionin në dispozicion, por ka ende shpresë sepse zbatimi do të mbikëqyret nga Komuniteti Evropian ose Bashkimi Evropian. Nëse vlerësojnë se palët nuk e zbatojnë marrëveshjen, mund të përballen me sanksione”, vlerëson ai.
Biserko thekson se arkivat e Ushtrisë dhe Policisë serbe deri më tani kanë mbetur “të paprekshme” në rastet e krimeve të luftës, ndaj është skeptike se tani do të hapen për shkak të çështjes së personave të zhdukur.
“Nëse Serbia do t’i hapte ato arkiva, do të duhej të përballej me faktin se është përgjegjëse për shumë gjëra që kanë ndodhur në Kosovë, sepse është bërë nën ombrellën e ushtrisë, policisë dhe paragrupeve të ndryshme”, thotë ajo./REL
/Shqip.com