Binak Kelmendi / Baba dhe Nana

Nuk po shoh mirë
Dhe nuk po tiej mirë
Thoshte Baba
Pasi mbaronte këngën kreshnike
Na qorrove
Na shurdhove
Me këto ka’gë
Luftë luftë
Shpatë shpatë
Kobure kobure
De’i kur ma.
Qortonte Nana
Vonë e mora vesh
Ç’kishte dashur të thoshte Baba
Dhe pse nuk pajtohej Nana
“Unë s’ e njihja Serbinë”
Më padisnin të dy…
Baba i ka veshët e hollë si letër duhani
dhe sheh shumë përtej Çakorrit
Thoshte Nana
Dhe pastaj bënte me vetullë
E Baba dilte në oborr
***
Binak Kelmendi është prozator, përkthyes, publicist e poet i njohur shqiptar.
Kelmendi është autor i romaneve “Vezët e Vdekjes” (Dukagjini, 2001), “Guri i Vashës” (Koha, 2012), “Portat e Pejës”, (Koha, Shpërblim i ‘Rexhai Surroi’, 2014), “Rruga 66”, (PEN Qendra e Kosovës, 2018) dhe i përmbledhjeve me tregime “Rozafa” (Rilindja, 1990), “Ofelia e Dukagjinit” (Rozafa, 2004), “Dritat e Luftës” (PEN Qendra e Kosovës, 2020), “Demë Dedë Boga” (Koha, 2023).
Po ashtu, Kelmendi është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës.
/Shqip.com