Lajme Botë

Biden i përgjigjet kritikëve: Jam kandidat i Partisë Demokratike, askush s’më nxjerr dot jashtë

Presidenti amerikan, Joe Biden
Presidenti amerikan, Joe Biden

Joe Biden ka thënë se nuk do të tërhiqet nga gara për presidencën amerikane, pavarësisht presionit në rritje nga figurat e partisë së tij.

Presidenti amerikan u kritikua ashpër për performancën e tij gjatë debatit të parë me rivalin republikan Donald Trump javën e kaluar.

Kjo çoi në nxitje të thirrjeve nga brenda Partisë Demokratike që Biden të tërhiqej dhe të linte një kandidat tjetër të kandidonte për president.

Por 81-vjeçari i ka mbyllur zërat se do të largohej duke thënë: “Unë jam kandidati i Partisë Demokratike. Askush nuk më nxjerr jashtë. Nuk do të largohem”.

E njëjta frazë u përsërit në një email për mbledhjen e fondeve dërguar disa orë më vonë nga fushata Biden-Harris. “Më lejoni ta them këtë sa më qartë dhe thjesht: Unë jam kandidat”, tha Biden në email, duke shtuar se ai ishte “në këtë garë deri në fund”.

Debati në SHBA po bëhet gjithnjë e më i nxehtë nëse 81-vjeçari do të vazhdojë fushatën e tij pas debatit me Trump, i cili u karakterizua nga ngecje e bllokime në përgjigje, një zë i dobët dhe disa përgjigje që ishin të vështira për t’u kuptuar. Kjo ngjalli shqetësim në qarqet demokrate rreth përshtatshmërisë së tij për të vijuar ushtrimin e detyrës dhe aftësisë për të fituar zgjedhjet e nëntorit.

Dhe presioni ndaj Biden për t’u larguar është rritur sidomos gjatë ditëve të fundit, pasi më shumë sondazhe tregojnë se epërsia e rivalit të tij republikan është e theksuar. Një sondazh i New York Times i kryer pas debatit, i cili u publikua të mërkurën, tregon se Trump po kryeson me gjashtë pikë para Biden.

Një tjetër sondazh i publikuar nga partneri amerikan i BBC-së, CBS News, sugjeron se Trump ka një avantazh prej tre pikësh ndaj Biden në shtetet vendimtare të fushëbetejës. Ky sondazh tregoi gjithashtu se ish-presidenti po kryeson në nivel kombëtar.

Biden zhvilloi të mërkurën një takim me dyer të mbyllura me Zëvendës-Presidenten Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë në një moment kur ishin shtuar spekulimet nëse ajo do ta zëvendësonte atë si kandidate e partisë në zgjedhjet e nëntorit, shkruan BBC.

Nga ana e saj, Harris përsëriti mbështetjen për Biden se ai do të jetë kandidati i Demokratëve përballë Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

/Shqip.com