Lajme

Biden e fton Osmanin në Samitin për Demokraci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci.

Sipas ftesës, përveç fjalimit që do të mbajë krahas krerëve të shteteve të tjera sipas formatit të vitit të kaluar, Osmani është përzgjedhur edhe në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare në të cilën do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.

Samiti për Demokraci është nismë e Shtëpisë së Bardhë që mëton të nxjerrë në pah suksesin e demokracisë në dobi të qytetarëve si dhe adresimin e sfidave më të vështira botërore.

Më 9 dhjetor 2021, Presidentja Osmani përfaqësoi Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.

/Shqip.com