Besnik Boletini zgjedhet kryetar i Bordit të RTK-së

Besnik Boletini me shtatë vota pro është zgjedhur kryetar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, të enjten, përcjell Shqip.com.
Përmes një komunikate, Bordi i RTK-së ka njoftuar se përmes votimit të fshehtë, Arta Berisha është zgjedhur nënkryetare.
Gjatë mbledhjes së parë konstituive, Bordi ka diskutuar për gjendjen aktuale të RTK-së, ku janë adresuar një sërë problemesh te menaxhmenti i mediumit.
“Bordi i Radio Televizionit të Kosovës mbajti të enjten mbledhjen e parë konstitutive, në të cilën kanë marrë pjesë dhjetë anëtarë. Në këtë mbledhje përmes votimit të fshehtë, bordi ka zgjedhur kryetarin dhe nënkryetaren.
Me shtatë vota për, kryetar i bordit është zgjedhur Besnik Boletini. Gjithashtu, me shtatë vota për Arta Berisha është zgjedhur nënkryetare. Në këtë mbledhje bordi ka diskutuar lidhur me gjendjen aktuale të RTK-së”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Ndër kërkesat e adresuara te menaxhmenti është edhe informatat për të dhënat sipas kontratës për secilin punëtor sipas njësive, por edhe për kontratat për shërbime dhe ato mbi vepër për të gjithë punëtorët e RTK-së.
“Të dhënat sipas kontratës, për secilin punëtor sipas njësive; Kontratat për shërbime dhe ato mbi vepër për të gjithë punëtorët. Kohën kur ato kanë filluar dhe kur përfundojnë; Kontratat që RTK i ka aktualisht me produksionet e jashtme dhe mënyrën e pagesës;
Listën e borxheve që i ka RTK-ja ndaj secilit subjekt; Raportin financiar të marketingut, ku përfshihen të gjitha kontratat e marketingut që aktualisht i ka RTK-ja”, thuhet ndër tjerash në komunikatë./SHQIP.com