Lajme

Berisha: Shqiptarët presin nga opozita që t’i shpëtojë nga Rama

Ish-kryeministri i Kosovës, Sali Berisha

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, pasditen e sotme gjatë një mbledhjeje me Kryetarët e degëve të Qarkut të Tiranës, sekretarët e këtyre degëve dhe grupet e punës, deklaroi se kanë hyrë në fushën e betejës.

“Përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë për t’u ngritur në këmbë, për të dëshmuar veten tonë si opozitë e vërtetë, si PD e Rithemeluar. Tani vijmë në fillimin e betejës”, tha Berisha.

Sipas tij, shqiptarët presin nga opozita shpëtimin nga kryeministri Edi Rama, i cili ka vendosur monizmin në Shqipëri.

“Shtetin ligjor e kemi në situatë katastrofale. Rama duhet të largohet nga pushteti, e kanë thënë mijëra herë shqiptarët. Tani ka ardhur koha që duhet ta shndërrojmë në realitet këtë moto”, ka thënë Berisha.

Kreu i PD-së theksoi dhe një herë se 12 nëntori do jetë dita e protestës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Por, gjithashtu bëri me dije se kjo do të jetë koha e protestave.

“Rama na sfidoi hapur në Peshkopi, se do ta bëjmë tërmet. Zotohet se sërish do na vjedhë votat. Nuk mund ta imagjinoni se çfarë klubi i neveritshëm është parlamenti shqiptar. Ne shkojmë aty vetëm për hir të zgjedhësve, por aty është turp të futesh. Nuk respektojnë asgjë”, tha Berisha.

Kujtojmë se Berisha është rikthyer në krye të PD-së pas një periudhe të gjatë, duke e pasuar ish-kryetarin Lulzim Basha.

Vitet e fundit figura e Berishës është komentuar shumë, me faktin se është shpallur edhe si person non-grata nga Departamenti amerikan i Shtetit.


/Shqip.com