Lajme

Berisha në mbrojtje të Metës: Rama manipuloi dosjet e autoriteteve, është i tmerruar nga opozita

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se kryeministri i tanishëm i Edi Rama ka manipuluar me dosjet e autoriteteve në të cilat aludohet se ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta kishte qenë bashkëpunëtor  i ish-sigurimit të shtetit.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha e quan këtë “akt të shëmtuar të Edi Ramës”.

“Një akt i shëmtuar i turpshëm i Edi Ramës! Pas inaugurimit të monizmit të plotë, Edi Rama, në traditën më të shëmtuar të bllokmenëve hoxhistë, i tmerruar nga opozita, urdhëron falsifikimin dhe manipulimin e dosjeve dhe sulmoi në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish – Presidentin e Republikës Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit”, shkroi Berisha.

Ai thotë, se Meta ju është nënshtruar verifikimeve të ndryshme për të kaluarën e tij.

“Pa dyshim një falsifikim dhe manipulim i shpifur ky. Ish Presidenti Meta si parlamentar i është nënshtruar nga viti 1996 deri sot verifikimit periodik si kandidat opozite dhe mazhorance për deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nga i cili në të gjitha rastet ai ka rezultuar pa asnjë lidhje me policinë sekrete”.

Tutje, Berisha thotë se Edi Rama e ka bërë këtë akt si përpjekje për t’i vënë në harresë “të bëmat” e së kaluarës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Lexo edhe:
Meta thyen heshtjen pas pretendimeve se ishte bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, theu heshtjen pas pretendimeve se ai është politikani me inicialet I.M që ka rezultuar pjesë e dosjeve sekrete të ish-sigurimit të shtetit.

Siç raporton TCh, ai kërkoi nga autoritetet që të bëjnë publike dokumentet. Madje ai tha se në kohën kur ka qenë student ka njohur edhe shumë student të tjerë me emrin dhe mbiemrin e njëjtë si të tij.

“Kush e ka ndaluar dhe kush e ndalon këtë autoritet që të bëjë publike se sa I.M kanë qenë në Fakultetin Ekonomik, se sa I.M kanë qenë në klasën ku kam qenë unë, se kush ka qenë bashkëpunëtor në sigurimin e shtetit ata e dinë shumë mirë. Unë në atë kohë kam qenë vetëm sekretar i rinisë së Fakultetit Ekonomik”, tha Meta.

Meta tha se edhe në klasën e tij kishte një shok që kishte emrin e njëjtë.

Ai po ashtu, tha se autoritetet kanë manipuluar dhe kriminalizuar me dosjet.

“Kjo është për të ardhur keq për autoritetin për manipulimin dhe kriminalizimin e dosjeve me një e-mail anonim elektronik që jam I sigurt që kur të bëhet publik do gajasin të gjithë. U zbulua që mbas 30 e sa vjetëve që ky I.M që është bërë deputet që në mars të 92’ dhe iu është nënshtruar të gjitha filtrave dhe komisioneve të gjitha kohëve”.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Lexo edhe:

A është Ilir Meta, politikani bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit?

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri këtë të martë një njoftim në faqen e tij zyrtare ku zbulonte se një personazh me profil të lartë politik me iniciale I.M. rezultonte të ishte bashkëpunëtor. Në të njëjtin njoftim thuhet se institucioni u vu në dijeni me anë të një e-maili dhe pas verifikimit, rezultatet iu vunë në dijeni Kuvendit të Shqipërisë.

“Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik.

Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur.

Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë” – thuhet në njoftimin e Autoritetet të Dosjeve.

Pas këtij njoftimi kanë qenë një sërë portalesh që kanë raportuar nga burime të tyre se bëhet fjalë për ish-Presidentin Ilir Meta. Në këto portale shkruhet madje se “Meta ka spiunuar një shok shkolle për planin e tij  për t’u arratisur jashtë shtetit dhe se … dhe ka qenë i dërguar i Sigurimit të Shtetit, edhe në takimin me Ramiz Alinë në Dhjetor 1990”./Shqip.com