Lajme

Meta thyen heshtjen pas pretendimeve se ishte bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, theu heshtjen pas pretendimeve se ai është politikani me inicialet I.M që ka rezultuar pjesë e dosjeve sekrete të ish-sigurimit të shtetit.

Siç raporton TCh, ai kërkoi nga autoritetet që të bëjnë publike dokumentet. Madje ai tha se në kohën kur ka qenë student ka njohur edhe shumë student të tjerë me emrin dhe mbiemrin e njëjtë si të tij.

“Kush e ka ndaluar dhe kush e ndalon këtë autoritet që të bëjë publike se sa I.M kanë qenë në Fakultetin Ekonomik, se sa I.M kanë qenë në klasën ku kam qenë unë, se kush ka qenë bashkëpunëtor në sigurimin e shtetit ata e dinë shumë mirë. Unë në atë kohë kam qenë vetëm sekretar i rinisë së Fakultetit Ekonomik”, tha Meta.

Meta tha se edhe në klasën e tij kishte një shok që kishte emrin e njejtë.

Ai po ashtu, tha se autoritetet kanë manipuluar dhe kriminalizuar me dosjet.

“Kjo është për të ardhur keq për autoritetin për manipulimin dhe kriminalizimin e dosjeve me një e-mail anonim elektronik që jam I sigurt që kur të bëhet publik do gajasin të gjithë. U zbulua që mbas 30 e sa vjetëve që ky I.M që është bërë deputet që në mars të 92’ dhe iu është nënshtruar të gjitha filtrave dhe komisioneve të gjitha kohëve”.

Tutje, Meta tha se për këtë rast nuk do t’i drejtohet drejtësisë ndërsa thotë se nuk ka marrë asnjë dokument nga autoriteti i dosjeve dhe as nga kryetarja e Kuvendit për të cilën tregoi se i ka humbur respekti.

Lexo edhe:
A është Ilir Meta, politikani bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit?

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri këtë të martë një njoftim në faqen e tij zyrtare ku zbulonte se një personazh me profil të lartë politik me iniciale I.M. rezultonte të ishte bashkëpunëtor. Në të njëjtin njoftim thuhet se institucioni u vu në dijeni me anë të një e-maili dhe pas verifikimit, rezultatet iu vunë në dijeni Kuvendit të Shqipërisë.

“Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik.

Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur.

Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë” – thuhet në njoftimin e Autoritetet të Dosjeve.

Pas këtij njoftimi kanë qenë një sërë portalesh që kanë raportuar nga burime të tyre se bëhet fjalë për ish-Presidentin Ilir Meta. Në këto portale shkruhet madje se “Meta ka spiunuar një shok shkolle për planin e tij  për t’u arratisur jashtë shtetit dhe se … dhe ka qenë i dërguar i Sigurimit të Shtetit, edhe në takimin me Ramiz Alinë në Dhjetor 1990”./Shqip.com