Bëhet përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të Granteve nga komunat për vitin 2022

Është mbajtur sot takimi me Komisionin e Granteve, ku u bë përzgjedhja e anëtarëve të rinj nga radhët e kryetarëve të komunave.
Kryesues i këtij takimi ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministria ka njoftuar se zgjedhja e anëtarëve nga radhët e komunave u bë përmes dy shorteve të veçanta të cilat mbahen në bazë vjetore nga Komisioni i Granteve, raporton Shqip.com
“Shorti u zhvillua në dy faza, ku në fazën e parë ishte hedhja e shortit për përzgjedhjen e tre (3) anëtarëve të rinj nga kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, dhe në fazën e dytë ishte hedhja e shortit për përzgjedhjen e një (1) anëtari të ri nga kryetarët e komunave pakicë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Anëtarët e rinj të përzgjedhur me short për vitin 2022 janë: kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni dhe kryetari i Novobërdës, Sasha Millosheviç.

Komisioni i Granteve do të takohet sërish në muajin prill për të diskutuar dhe aprovuar financimin komunal për vitin 2023, dhe gjithashtu orientimet për vitet 2024-2025, bazuar në prioritetet strategjike të Qeverisë në fushën e marrëdhënieve fiskale ndërqeveritare.
Në takim morën pjesë: Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Resul Makreshi, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfer, Armend Muja, si dhe kryetarët e komunave, të përzgjedhur me short vitin e kaluar: kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, si dhe kryetari i komunës së Parteshit, Dragan Petkoviç./Shqip.com