Lajme

Bedri Hamza paralajmëron padi ndaj deputetit të LVV-së

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka paralajmëruar padi ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi.

Ky i fundit përmes një statusi në rrjetet sociale, ka thënë se Hamza ka mbajtur takim me përfaqësuesit e Listës Serbe.

“Kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe njëherit nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie kanë mbajtur takim dy orësh me përfaqësuesit e Listës Serbe në një nga restorantet e fshatit Milloshevë të Kastriotit. Është e rrezikshme dhe shqetësuese se si subjekti që para ca ditësh tha se po lëshon institucionet e Republikës së Kosovës, po lufton çdo ditë shtetin tonë, konsultohet çdo ditë me Vuçiqin sot takohet edhe me një parti të opozitës në Kosovës. Lista serbe siç duket edhe mund të lëshoj institucionet ama partinë mike, PDK-në nuk mundet pa e parë”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkohë, Hamza ka bërë të ditur se në takim ka qenë me dy kryetar të komunave fqinje.

“Gjatë ditës së sotme, me ftesë të kryetarit të Vushtrrisë, z. Idrizi, unë dhe z. Fadil Nura kemi zhvilluar një drekë pune për të diskutuar për zhvillimet në ndërmarrjen e përbashkët komunale “Uniteti”. Gjatë kësaj dreke, unë as nuk kam parë, as nuk kam biseduar me asnjë  anëtar apo deputet të Listës serbe. 

Sa i përket gënjeshtrave dhe shpifjeve të deputetit të Vetëvendosjes, Halil Thaçi, do të ballafaqohemi së shpejti në gjykatë!”, ka shkruar Hamza.

/Shqip.com