Lajme Botë

BE: Kina nuk mund ta mbështesë ushtarakisht pushtimin e Ukrainës nga Rusia

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell tha të martën se udhëheqësit evropianë po i dërgojnë një mesazh Kinës se ajo nuk mund të mbështesë ushtarakisht agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Duke folur në Bruksel, ku po takohen ministrat e jashtëm të NATO-s dhe përpara vizitës së tij javën e ardhshme në Kinë, Borrell tha se BE-ja ka qenë “e qartë me Kinën se pozicioni i saj ndaj mizorive dhe krimeve të luftës të Rusisë do të përcaktojë marrëdhëniet tona me Pekinin”.

Ai tha se udhëheqës të tjerë të BE-së që vizitojnë Kinën, përfshirë Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin francez Emmanuel Macron sjellin të njëjtin mesazh.

Borrell iu drejtua gazetarëve së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se do të fokusohej në reduktimin e mëtejshëm të varësisë së Evropës nga furnizimet ruse të energjisë dhe në rritjen e prodhimit të energjisë së pastër.

Të dy diplomatët morën pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, ku aleanca zyrtarisht mirëpriti Finlandën si anëtare të re.

Ngritja e flamurit të Finlandës në selinë e NATO-s vjen më pak se një vit pasi vendi paraqiti kërkesën në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Ceremonia përkon me 74 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Uashingtonit më 4 prill 1949, që themeloi NATO-n.

Rusia paralajmëroi të hënën se do të përforcojë forcat pranë Finlandës nëse NATO dërgonte trupa, ose pajisje shtesë në Finlandë.

NATO ka thënë se nuk ka asnjë qëllim të menjëhershëm për të rritur praninë e saj në Finlandë. Disa vende anëtare kanë dislokuar trupa atje për stërvitje luftarake gjatë vitit të kaluar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u tha gazetarëve të martën se gjatë shumë viteve, Rusia ka ndërtuar ushtrinë e saj në veri dhe se presidenti Vladimir Putin ka treguar se është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake kundër fqinjëve të tij. Zoti Stoltenberg tha se anëtarësimi i Finlandës në NATO është rezultat i “luftës së agresionit të Presidentit Putin kundër Ukrainës”.

Duke përshkruar natyrën mbrojtëse të aleancës së NATO-s, zoti Stoltenberg tha: “Qëllimi i parandalimit dhe mbrojtjes së NATO-s nuk është të provokojë konfliktin, është të parandalojë konfliktin”.

Suedia aplikoi për t’u anëtarësuar në NATO së bashku me Finlandën, por anëtarësimi është bllokuar për shkak të kundërshtimit të Turqisë, e cila thotë se Suedia ka qenë shumë e butë ndaj grupeve që Turqia i konsideron si terroriste. /VOA

/Shqip.com