Lajme

BE dhe UNDP marrin vendim të pezullojnë renovimin e shtëpisë së Xhafer Devës

Shtëpia e Xhafer Devës- Mitrovicë

UNDP bashkë me Bashkimin Evropian kanë pezulluar punimet rreth restaurimit të shtëpisë së politikanit, Xhafer Deva.

Në një deklaratë të përbashkët, BE dhe UNDP kanë deklaruar se ky projekt kishte për qëllim afrimin e komuniteteve dhe kanë shprehur keqardhje për çdo shqetësim që mund të kenë shkaktuar gjatë ditëve të kaluara.

”UNDP së bashku me BE-në, kanë pezulluar punën në lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuar haptazi të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet përkatëse”, thuhet në deklaratë.

Deklarata nga BE dhe UNDP

”UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e tyre te shumta, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe fanatizmit ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin, dhe të luftojmë dezinformimin”.

Ministria e Kulturës kishte vendosur se do të rindërtonte këtë objekt kulturor në qendër të qytetit të Mitrovicës me fonde të përbashkëta të UNDP-së dhe BE-së.

Ministri Hajrulla Çeku kishte thënë se Kosova nuk rehabiliton figura historike siç bën Serbia, në një shkrim ku ai tregon pse e sheh me vend renovimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

“Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë”, ka shkruar Çeku në Facebook./Shqip.com