Lajme Botë

Bashkimi Evropian sanksionon financuesit e Hamasit

Flamuri i BE-së.
Flamuri i BE-së.

Bashkimi Evropian ka ngrirë asetet dhe ka vendosur ndalesa të udhëtimit për disa individë dhe kompani, të cilat akuzohen se po ndihmojnë financiarisht Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe blloku evropian.

Ky është rundi i dytë i sanksioneve që ka vendosur BE-ja ndaj Hamasit dhe grupit palestinez, Xhihadi Islamik Palestinez, pasi ata sulmuan Izraelin më 7 tetor, gjë që nxiti luftën në Gazë.

Deri më tani, blloku evropian ka vendosur në listën e zezë 12 individë dhe tri entitete për shkak të lidhjeve të tyre me këto dy grupe.

Në rundin e fundit të sanksioneve, veç tjerash u sanksionuan tri kompani që përdoren nga financuesi kryesor i Hamasit, Hamza Abdelbasit, i cili sipas BE-së, përdor këto kompani për të dërguar fonde te grupi.

Flamuj të Bashkimit Evropian.

Në mesin e kompanive të sanksionuara është edhe firma spanjolle e patundshmërive, Al Zawaya Group, dhe dy të tjera me bazë në Sudan, u tha në njoftimin e BE-së.

Sanksionet evropiane po ashtu kanë shënjestuar kreun e Hamasit që bën transferimin e parave nga Irani.

BE-ja tha po ashtu se ka vendosur sanksione edhe ndaj Ali Morshed Shirazi, oficer i lartë i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, i cili mbikëqyr raportet mes grupeve palestineze dhe Teheranit.

Në listën e sanksioneve të BE-së është futur edhe zyrtari i lartë i Hamasit, Maher Rebhi Obeid, “përgjegjës për udhëheqjen e operacioneve terroriste të Hamasit në Bregun [e pushtuar] Perëndimor”, u tha në njoftim, raporton REL.

Nga sulmi i Hamasit në Izrael u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivën së Izraelit, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 37.000 palestinezë.

Në prill, BE-ja kishte sanksionuar katër kolonë “ekstremistë” izraelitë dhe dy grupe lidhur me dhunën kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.

/Shqip.com