Lajme

Bashkimi Evropian: Çdo sulm ndaj gazetarëve është i turpshëm dhe duhet dënuar

Tomas Szunyog, shef i zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog thotë se çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai në internet, verbal apo fizik, është i turpshëm dhe duhet dënuar.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ai theksoi se Raporti i BE-së për Kosovën 2021 pranon se Kosova përfiton nga një mjedis mediatik pluralist dhe dinamik por që shqetësimet mbeten në lidhje me fushatat e njollosjes publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai në internet, verbal apo fizik, është i turpshëm dhe duhet dënuar”, tha Szunyog, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të përmirësojnë reagimet ndaj sulmeve dhe formave të tjera të presionit ndaj mediave.

Szunyog përgëzoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për rolin e tij në mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së shprehjes.

Duke iu referuar fushatës së dezinformimit që buron nga agresioni rus kundër Ukrainës, ambasadori Szunyog theksoi nivelin e lartë të profesionalizmit të shumicës së mediave të Kosovës në raportimin për luftën në Ukrainë dhe përshëndeti gatishmërinë e Kosovës për të pritur gazetarë ukrainas në këto kohë të vështira.

Lexo edhe:
“Mediat nuk janë armiku” – AGK kërkon nga pushteti që ta respektojë punën e gazetarëve

Ai theksoi me shqetësim se mungesa e vetë-qëndrueshmërisë financiare të mediave në Kosovë u përkeqësua edhe më tej nga pandemia COVID-19, duke e lënë atë të cenueshme ndaj interesave politike dhe afariste, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik.

Ambasadori Szunyog përshëndeti miratimin e kohëve të fundit nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Ndihmë Juridike Falas i cili, për herë të parë, do t’u shërbejë edhe profesionistëve të mediave.

“Miratimi i Ligjit për Ndihmën Juridike Falas nga Kuvendi ishte një hap në drejtimin e duhur për të siguruar lirinë e mediave në Kosovë, dhe BE-ja nga ana e saj do të vazhdojë të financojë, mbështesë dhe të punojë në nismat që kontribuojnë në profesionalizimin e mëtejshëm dhe qëndrueshmërinë e mediave”, tha Szunyog.

Theksojmë se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sot po shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit me moton “Mediat nuk janë armiku”.

Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha tha se sulmet e vazhdueshme dhe të orkestruara nga pushteti aktual, shpesh herë të bëra me gjuhë politikisht në rregull, janë duke e degraduar profesionin e gazetarit si asnjëherë më parë.

Rexha kërkoi nga pushteti që ta respektojnë punën e gazetarëve./Shqip.com