Basha: Nuk duhet toleruar tanket dhe avionët në kufijtë e Kosovës, detyra e Shqipërisë nuk është që të heshtë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se nuk duhet të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke e kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Basha u shpreh se detyra e Shqipërisë si vend i NATO-s nuk është që të heshtë por të ndihmoj në zgjidhjen e kësaj situate.
“Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate. Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, shkroi ndër tjerash Basha.
Sipas tij, “aktet kriminale” që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit janë të frymëzuara nga Beogradi dhe synojnë destabilizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit për interesat politike të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit.
Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiç”, shtoi ndër tjerash ai.
Gjatë të shtunës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se prezenca e Policisë së Kosovës në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje i ka parandaluar djegien e pikave kufitare me Serbinë.
Po ashtu, Kurti tha se me avionët luftarak, Serbia po tenton të nxisë një konflikt i cili mund të marrë përmasa rajonale.
Kurse. ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vendimi për reciprocitetin me targa ndaj Serbisë, është i drejtë dhe legjitim.
Ndryshe, të hënën, Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që çdo veturë që hynë nga Serbia, t’i zëvendësojë tableat e veturës me ato të përkohshme.
Të pakënaqur për këtë, serbët që jetojnë në komunat veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugëtqë çojnë në pikë kalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
Për të mbikëqyrur situatën, Njësia SPeciale e Policisë së Kosovës janë pozicionuar atje që nga vendosja e masës së reciprocitetit./SHQIP.com