Lajme

“Ballkani i Hapur”: Kurti thotë se i mbështetë iniciativat e BE-së, Zaev e quan qëndrim të ndryshëm

Kryeministri i Kosovës - Albin Kurti dhe ai i Maqedonisë së Veriut - Zoran Zaev, në konferencë për media

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij Shkup, ku po qëndron me ministra të tjerë, është deklaruar rreth takimit bilateral me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev, me të cilin zhvilloi takim para se të niste mbledhja e dy qeverive.

Kurti tha se në këtë takim është diskutuar për synimet e përbashkëta për integrim evropian dhe për nevojën e bashkëpunimit – sidomos të atij ndërkufitar.

“Para mbledhjes së dy qeverive, me kryeministrin Zaev zhvilluam një takim bilateral ku folëm për rëndësinë e respektimit të të gjithë qytetarëve pa dallim – të cilët jetojnë në vendet tona. Si vende me synime të përbashkëta për integrim evropian e kuptojmë se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është parakusht tejet i rëndësishëm dhe në këtë takim biseduam për nevojën e bashkëpunimit sidomos ndërkufitar”, është shprehur Kurti në konferencën për media.

I pyetur nga gazetarët lidhur me iniciativën e Ballkanit të Hapur, Kurti tha se si Kosovë i mbështesin të gjitha iniciativat rajonale në të cilat është i përfshirë Bashkimi Evropian dhe ato të cilat vijnë nga vetë Blloku.

“Jemi të orientuar nga e ardhmja dhe e ardhmja për neve është Bashkimi Evropian, i cili është fati ynë dhe Evropa është kontinenti yne. Si Kosovë i mbështesim të gjitha iniciativat rajonale në të cilat e kemi Bashkimin Evropian dhe të cilat janë nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Derisa për këtë çështje, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se “Kosova është shtet i pavarur, i ndërton qëndrimet e veta dhe ne i respektojmë këto qëndrime”.

Zaev tha se kjo nuk paraqet pengesë për të vazhduar bashkëpunimin.

“Në pyetjen rreth Ballkanit të Hapur, ja si kryeministra kemi qëndrime të ndryshme, por kjo nuk është pengesë që shkëlqyeshëm të bashkëpunojmë, sepse e kemi detyrë ti shërbejmë qytetarëve tanë”, tha mes tjerash Zaev.

Kurti fjalën e tij në këtë konferencë e nisi duke kujtuar 14 viktimat që humbën jetën në shpërthimin që ndodhi brenda spitalit COVID-19 të Tetovës, duke i shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e tyre. /Shqip.com