Bajrami: Nagavci duhet të shkarkohet menjëherë, në rast se mësimi dështon edhe të shtunën e ardhshme

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se kryeministri Kurti duhet t’i kërkojë përgjegjësi Nagavcit për dështimin e zëvendësimit të mësimit, që dy të shtune radhazi.
Ajo në një postim në Facebook tha se nëse dështon edhe të shtunën e ardhshme mësimi, atëherë kryeministri duhet ta shkarkojë menjëherë Nagavcin.
“Arbërie Nagavci është përgjegjëse pse dështoi edhe këtë të shtunë zëvendësimi i orëve mësimore. Kryepërgjegjësi është Albin Kurti i cili po e toleron një ministre të tallet me mijëra fëmijë e familje.
Kryeministri duhet t’i kërkojë ministres Nagavci që të arrijë sa më shpejt marrëveshje me prindërit për zëvendësimin e orëve të humbura shkaku i grevës. Nëse dështon edhe të shtunën e ardhshme zëvendësimi i orëve mësimore atëherë ministres së Arsimit duhet t’i kërkohet përgjegjësi dhe të shkarkohet menjëherë”.
Ajo tha partia në pushteti erdhi në Qeveri për t’i zgjidhur të gjitha ”çështjet kombëtare e ndërkombëtare”, por po dështon në ekonomi, shëndetësi, diplomaci e më së shumti po dështon në arsim.
Ndryshe, ministria e Arsimit ka bërë thirrje që procesi i kompensimit të orëve mësimore të mbahet të shtunën, mirëpo në këto dy javë është duke munguar gatishmëri e nxënësve.
/Shqip.com