Lajme

Bajqinovci: “Veteranët e rrejshëm” titullin e kanë marrë në zyrat e PDK-së dhe AAK-së

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka reaguar ndaj numrit të lartë të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai thotë se “veteranët” e rrejshëm, këtë titull e kanë marrë në zyret e partive të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Veteranët” e rrejshëm, titullin e tyre nuk e kane marrë në fushëbeteja të luftës, por në zyrat e partive të PDK-së e AAK-së”, ka shkruar Bajqinovci.

Më tej ai i ka quajtur këto dy parti  “fabrika” prodhuese të dëmeve ndaj luftës!”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me Faton Klinakun, nga organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 25 mes tjerash kanë diskutuar mundësinë e pastrimit të listave të veteranëve.

“Gjatë takimit u bisedua edhe për tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në njoftimin e zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Kurti, gjatë një debati në RTK pati thënë se me shifrën prej 60 mijë veteranësh, “ne po e deformojmë historinë”.

“Nuk ka teori mbi 20 mijë veteranë të luftës. Mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë, pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta edhe mbi 60 mijë , po veteranë nuk mund ta jenë më shumë se 20 mijë”, kishte thënë kryeqeveritari.

Ndërsa ditë më parë ka deklaruar se kjo kategori nuk e meriton pagën minimale, sipas tij paga minimale fitohet përmes punës.

Sipas Kurtit në Kosovë, nuk janë 60 mijë veteranë të UÇK-së ashtu si janë regjistruar vite më parë, por 20 mijë persona dhe se “deformimet” e tilla duhet të mënjanohen./Shqip.com