Lajme

Azemi: Kurti është shndërruar në shërbyes të Martin Berishajt

Visar Azemi/ LDK

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kritikuar reagimet e LVV-së pas arrestimit të Nagim Krasniqit.

Azemi, përmes një konference për mediat tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është “shndërruar në shërbyes të Martin Berishajt”.

“Për bizneset multimilonëshe të Martin Berishajt, kryeministri i Kosovës, i cili në krye të shtetit erdhi me zotimin që t’iu shërbejë qytetarëve, duket se tashmë është shndërruar në shërbyes të Martin Berishajt, e për të cilin po del se ka angazhuar edhe argatë si Nagip Krasniqi”, tha ai.

“Nagip Krasniqi përflitet që kishte qëndruar në një vizitë në Zagreb me Martin Berishaj në 2022 së bashku me një tregtar të energjisë elektrike që ngrite dyshime për marrëveshje të tregtimit të energjisë elektrike”, tha Azemi.

Tutje, Azemi tha se Kurti po heshtë pasi “dy shokë e bashkëpartiakë të tij janë nën llupën e drejtësisë, derisa partia e tij po i shpallin luftë institucioneve pse po hetojnë aty ku ka dyshime për afera të mëdha korrupsioni”.

Gjithashtu Azemi ka thënë se zvarritja e remontit të bllokut A5 të Kosova A, duke importuar energji nga jashtë me çmime tepër të larta, dukej si paaftësi e pushtetit.

/Shqip.com