Lajme

Avokati Keohe: Thaçi s’kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime lufte

Avokat i Hashim Thaçit, Gregory Keohe

Në Hagë ka nisur sot dita e dytë e gjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasnitit dhe Rexhep Selimit.

Avokat i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka mohuar të gjitha pretendimet e djeshme nga Prokuroria Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë fjalës hyrëse, Keohe ka thënë që Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime lufte.

“Motivi është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ne dëshirojmë të flasim për motivin në këtë çështje gjyqësore. Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv që të merrte pjesë në krime si një prej udhëheqëse të UÇK-së, ai e dinte se suksesi i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, varej nga mbështetja e vendeve perëndimore sidomos nga SHBA-të”, ka thënë Keohe.

Tutje Keohe tha se Thaçi e dinte se Kosova s’mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së.

“Në fillim të viteve 98-ta, SHBA-ja i ofron mbështetje UÇK-së sipas disa kushteve, asnjë sulm kundër civilëve, asnjë asistencë nga grupet islamike ose asnjë financim nga trafikimi i lëndëve narkotike të paligjshme dhe asnjë veprim jashtë territorit të Kosovës. Thaçi e dinte shumë mirë se Kosova s’mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së. Ai kishte motivimin për të mos u angazhuar në ndërmarrje të përbashkët kriminale të përshkruara në aktakuzë”, shtoi ai.

/Shqip.com