Lajme

Avokati i Popullit refuzon kërkesën e Valdete Dakës për ta çuar presidenten në Kushtetuese

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Avokati i Popullit ka refuzuar kërkesen e ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, për ta dërguar çështjen e shkarkimit të saj në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Avokatit të Popullit, rasti i ngritur nga ish-kryetarja e KQZ-së paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e vendimit të Presidentes dhe se kjo çështje nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Shqip.com.

“Çështja e ndërprerjes së mandatit dhe emërimit të anëtarëve të KQZ-së, duke përfshirë këtu edhe Kryetarin e KQZ-së përcaktohet me Ligjin nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (neni 61, paragrafi 5) mbi të cilin, në mes tjerash, bazohet Vendimi nr.42/2021, i datës 14 qershor 2021 i Presidentes së Republikës së Kosovës”.

“Së këndejmi, Avokati i Popullit ka vlerësuar se çështja e ngritur nga znj. Daka paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e Vendimit të Presidentes, e që kjo nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit ka konstatuar se Daka, nuk ka ofruar dëshmi se ka shteruar, apo që së paku ka përdorur mjetet juridike kundër Vendimit të Presidentes.

“Avokati i Popullit është bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese (Aktvendimi për Papranueshmëri në Rastin Nr. KI142/13, i datës 18 nëntor 2013, parashtrues Fadil Maloku, lidhur me Kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Nr.686-2013, të 6 shtatorit 2013), sipas të cilës gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë mjetet efektive juridike, të cilat duhet të shterohen para se çështja të ngritët në Gjykatën Kushtetuese”.

“Për më tepër, Ligji për Avokatin e Popullit, neni 22, paragrafi 1, nën-paragrafi 4 përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar. Në rastin konkret znj. Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftim.

Më 14 qershor, presidentja Vjosa Osmani kishte marrë vendim për ta shkarkuar ish-kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Mandati shtatëvjeçar i Dakës përfundonte më 2025.

Daka e ka udhëhequr Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga qershori i vitit 2010./Shqip.com