Lajme

Avokati britanik i Veliajt: Do bëjmë ankimim në Strasburg. Arresti i papranueshëm, të lirohet menjëherë kryebashkiaku i Tiranës

Avokati Ben Brandon, i cili ushtron profesionin në Londër, qartësoi sot publikisht se së bashku me kolegun e tij, po ashtu britanik, përfaqëson kryebashkiakun e Tiranës, Erion VeA

Ai tha se janë përfaqësuesit ligjorë ndërkombëtarë të Veliajt dhe se e kuptojnë që kjo është një çështje me rëndësi të madhe për Shqipërinë. Sipas tij, ata ndodhen në vend për të asistuar Veliajn në aplikimin e tij drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Ne jemi përfaqësuesit ligjorë ndërkombëtarë të zotit Veliaj. E kuptojmë që kjo është një çështje me rëndësi të madhe për vendin tuaj. Jemi këtu për ta asistuar zotin Veliaj në aplikimin e tij në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”,- tha avokati britanik.

Brandon u shpreh se dy ditët e fundit i kanë kaluar në ambientet e paraburgimit në Durrës duke punuar për përgatitjen e aplikimit dhe se do të rikthehen në fillim të shtatorit.

Ai theksoi se që nga ndalimi i Veliajt, së bashku me përfaqësuesit ligjorë në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar vazhdimisht ta takojnë klientin e tyre, por të gjitha kërkesat janë refuzuar në mënyrë të përsëritur.

Sipas tij, vetëm pas një ndryshimi në vendimmarrjen e gjyqtarëve në Tiranë, atyre iu dha mundësia ta takonin Veliajn pas 14 muajsh kërkesash të refuzuara.

“Për më shumë se 14 muaj na është mohuar e drejta për të takuar klientin tonë. Kjo është e papranueshme. Nuk bëhet fjalë për dëshirën tonë për ta takuar, por për të drejtën e zotit Veliaj që të përfaqësohet nga avokatët e zgjedhur prej tij”,- tha avakati Brandon.

Brandon e cilësoi të papranueshëm mohimin e aksesit të përfaqësuesve ligjorë të zgjedhur nga Veliaj për më shumë se 14 muaj. Ai tha se arsyet e dhëna për moslejimin e kontaktit me mbrojtësit e zgjedhur mbeten të paqarta dhe konfuze.

Ai shtoi se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka bërë të qartë se, kur bëhet fjalë për heqjen e lirisë së një personi, autoritetet shqiptare duhet ta trajtojnë çështjen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sipas avokatit, përveç ndikimit që ndalimi ka te vetë Veliaj dhe familja e tij, ai prek edhe qytetarët e Tiranës që e kanë zgjedhur për të qeverisur në nivel vendor.

“Ne mendojmë se ndalimi i tij është i panevojshëm dhe joproporcional. Ai ndikon jo vetëm te zoti Veliaj dhe familja e tij, por edhe te qytetarët e Tiranës që e kanë zgjedhur. Masa duhet të marrë fund menjëherë”,- tha avokati Brandon.

©Shqip.com