Lajme

AUV pas deklaratës së Hazirit: Qeveria s’ka kompetenca të ndërhyjë në punën tonë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në procesin e shqiptimit të dënimeve ndaj personave fizikë apo juridikë nga inspektorët e kësaj agjencie apo zyrtarët e Policisë së Kosovës për shkeljet e masave anti-COVID, njofton Shqip.com.

Këtë reagim, AUV e bëri pas deklaratës së kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka kritikuar veprimet e inspeksionit sanitar të shtunën në këtë qytet, duke i thënë Qeverisë të mos ndërhyjë në punët e brendshme të komunës.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në procesin e shqiptimit te dënimeve ndaj personave konkretë, fizikë apo juridikë, nga inspektorët e AUV-it apo zyrtarët e Policisë së Kosovës për shkeljet e masave anti-Covid”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

“Në vend të kësaj, ekzistojnë procedura të qarta ligjore përmes të cilave secili person i tillë mund të ushtrojë të drejtën e ankimimit ndaj dënimeve që prentendohet të jenë të kundërligjshme. Çdo tentim për ta fajësuar apo shantazhuar Qeverinë lidhur me këtë çështje s’është asgjë përveçse përpjekje për të përfshirë nivelin qendror në fushatën e zgjedhjeve lokale nga kryetari aktual e në shërbim të tij”, thuhet në njoftimin e AUV.

Të shtunën në Gjilan janë mbyllur disa lokale për mosrespektimin e masave anti-COVID.

Për këtë ka reaguar Haziri, i cili e lidhi këtë situatë me balotazhin e 14 nëntorit.

Haziri thotë se emergjencat kundër COVID-19 janë në kompetencat e komunës. “Inspeksioni komunal është autoriteti kryesor dhe më i lartë, i cili merret me ndalim të veprimtarive dhe me hapje”, ka deklaruar ai për Klan Kosovën.

Haziri këtë e quan “goditje ndaj institucioneve të Gjilanit”. /Shqip.com