Lajme

Atentat me breshëri kallashnikovi në Lezhë, vritet kushëriri i Ardian Nikulajt

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar këtë mbrëmje në Lezhë, ku ka mbetur i vdekur një person.

Mësohet se nga breshëria e plumbave nga një armë kallashnikov ka mbetur Eno Nikulaj, i cili është djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, biznesmenit që u vra disa muaj më parë në Shëngjin.

Nga ana e policisë bëhet me dije se janë ngritur disa pika kontrolli për kapjen e autorëve. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se autorët janë larguar drejt Kurbinit, ndërsa janë ngritur disa pika kontrolli edhe në drejtim të Shkodrës.

Besohet se ky atentat ka ardhur si pasojë e gjakmarrjes, arsye për të cilën u vra edhe biznesmeni Nikulaj në prill të këtij viti nga një grup personash me pagesë. Ekzekutor ishte portugezi Ruben Saraiva i cili u arrestua në Marok por edhe nuk është ekstraduar në Shqipëri.

Kujtojmë se biznesmeni Ardian Nikulaj u vra më 19 në prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin. Për vrasjen e Nikulajt janë akuzuar 5 shtetas të huaj dhe shqiptari Edmond Haxhia, i cili dyshohet të ketë qenë porositësi.

7 muaj pas ngjarjes autoritetet marokene i kanë përcjellë homologëve të tyre shqiptarë aparatin celular të Ruben Saraivës, 28-vjeçarit portugez i cili kishte rolin e ekzekutorit në eliminimin e biznesmenit.

Komunikimet që autori i dyshuar ka shkëmbyer me persona të tjerë do t’u shërbejnë hetuesve për të pasur prova të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi më 19 prill të këtij viti, brenda ambienteve të hotelit të tij në Shëngjin.

Saktësisht 3 muaj pas vrasjes së Ardian Nikulajt, do të ekzekutohej Nikolin Marku Lekstakaj, 42 vjeç. Pista e parë për policinë ishte hasmëria, pasi dyshohet se 42-vjeçari është vrarë për të marrë hakun e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj që u vra në Shëngjin, më 19 prill.

/Shqip.com