Lajme

Asnjë gozhdë për dy vjet – Spitali i ri i Ferizajt nën mëshirën e kohës

Ishte korriku i vitit 2018 kur drejtuesit më të lartë të institucioneve morën rrugën për në qytetin e Ferizajt, aty ku pritej nisja e ndërtimit të spitalit të ri.

Fillimi i punimeve u bë pas shumë vite zvarritjesh rreth lokacionit të ndërtimit, për faktin se Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Ferizajt, nuk gjenin gjuhën e përbashkët rreth caktimit të lokacionit. Ideja fillestare ishte që të ndërtohej në periferi të qytetit, ndërsa për fund vendi u caktua në një zonë pothuajse në qytet.

Vlera e projektit ishte parashikuar të jetë 10 milionë e 235 mijë euro dhe kohëzgjatja e punimeve ishte për 3 vite.

Por, kanë kaluar më shumë se 4 vjet dhe spitali ende nuk ka përfunduar. Deri më tani është finalizuar vetëm pjesa e vrazhdë, ndërsa ka mbi dy vjet që në këtë objekt nuk është ngulitur asnjë gozhdë, shkaku i ndalimit të punimeve.

Mungesa e spitalit të ri, ka sjellë jo pak probleme për mjekët dhe qytetarët, të cilët duhet të lëvizin nëpër objektin e vjetër të spitalit, i cili nuk arrin të ofroj kushtet e nevojshme për kryerjen e të gjitha shërbimeve mjekësore.

“Neve si profesionist mungesa e infrastrukturës spitalore na kufizon në ofrimin e shërbimeve mjekësore. Qytetarët janë ata që po vuajnë më së shumti në kuptim të marrjes së shërbimeve mjekësorë”, thotë për Shqip.com, drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Selajdin Sallahu.

Ai vlerëson se Ferizaj po dëmtohet shumë nga mungesa e një spitali, ku qytetarët mund të marrin tretmane mjekësore ashtu siç ndodhë në shumicën e qyteteve tjera.

Kritika për bllokimin e projektit ka edhe Komuna e Ferizajt.

“Ne i kemi dhënë vërejtjet tona sa herë që kemi pasur takime të përbashkëta me stafin menaxhues të MSH-së sepse roli jonë si komunë ka qenë vetëm këshillues dhe nuk kemi pasur ndikim, për faktin se ka qenë nën mbikëqyrje të MSH-së”, thuhet në përgjigjen për Shqip.com nga nënkryetari i kësaj komune, Lulzim Aliu.

Tutje ai ka thënë të ketë adresuar vërejtjet tek komisioni i formuar nga ministria rreth riorganizimit të brendshëm të objektit, ani se ky komision, nuk është mbledhur për të trajtuar këtë çështje tash e një vit e gjysmë.

E krejt kjo i ka shërbyer më së shumti operatorit ekonomik.

“Si pasojë e mos mbajtjes së mbledhjes së komisionit është krijuar alibia që operatori ekonomik të mos punoj. Në anën tjetër, po ashtu, është krijuar hapësira që kompania të kërkojë ndryshimin e projektit detal dhe paramasës që në çmim të reflektojë mbi 50% më shumë se sa çmimi i kontraktuar”, thotë Aliu për Shqip.com.

Madje komuna që udhëhiqet nga Agim Aliu, e ka quajtur të paligjshëm kontratën e nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.

“Jemi të njoftuar se këtë analizë të realizimit të projektit nga operatori ekonomik, gjegjësisht prerjen e punimeve është duke e bërë Fakulteti Teknik, gjë që nuk e mendojmë se është ligjore sepse ky institucion nuk ka mekanizëm për këtë çështje. Kjo duhej të bëhej përmes menaxherit të kontratës dhe komisionit të ngritur nga MSH-ja”.

Nënkryetari Lulzim Aliu i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë, që të fillojnë procedurat e reja sepse kjo është nevojë e jashtëzakonshme e pacientëve që kërkojnë shërbime nga i tërë rajoni.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka thënë për Shqip.com se kontrata me operatorin ekonomik që e kishte fituar tenderin për ndërtimin e spitalit, është ndërprerë për shkak të mos përmbushjes së obligimeve.

“Ju informojmë se kontrata është ndërprerë si pasoj e dështimit nga punëkryesi për realizimin e kontratës (sipas projektit bazik)”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Me 8 mars të këtij viti, pas shkëputjes së kontratës me operatorin, Ministria e Shëndetësisë nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin Teknik, i cili do të bënte kolaudimin e punimeve.

E Fakultetit Teknik, iu deshën më shumë se 7 muaj që të përfundojë inspektimin e punimeve të lëna në gjysmë dhe ta dërgoj raportin tek Ministria e Shëndetësisë.

“Raporti i Fakultetit Teknik nga MSH-ja është pranuar me datën 18.10.2022 dhe aktualisht është duke u trajtuar për të ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Shqip.com, ka insistuar për të marrë informacione shtesë rreth asaj se çka përmban saktësisht raporti i përpiluar nga Fakulteti Teknik, por ministria ka hezituar ta ndajë për publikun dokumentin në fjalë.

Përderisa muajt po kalojnë, qytetarët e Ferizajt po përballen me vështirësi sa i përket trajtimit mjekësor sepse hapësirat e spitalit të tanishëm nuk i përmbushin nevojat për të marrë shërbimet mjekësore.

Punimet në ndërtimin e spitalit të ri janë ndalur prej më shumë se dy vjetësh.

Spitali i Ri i Ferizajt do të shërbejë edhe për banorët e komunave përreth, Shtimes, Kaçanikut, Shtërpcës dhe një pjese të fshatrave të Vitisë.

Përndryshe qyteti i Ferizajt është i treti për nga numri i banorëve në Kosovë, ndërsa ka rëndësi të madhe për buxhetin e shtetit sepse është tatimpaguesi i dytë më i madh pas Prishtinës.

/Shqip.com