AShSh organizon konferencë shkencore me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Turqinë

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka zhvilluar një konferencë shkencore në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Në emër të Kryesisë së ASHSH, foli akad. Vasil S. Tole. 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Turqisë përkon edhe me 100-vjetorin e krijimit të Republikës moderne turke nga Ataturku.
I pranishëm në këtë konferencë ishte ambasador i Turqisë në vendin tonë, Tayar Atay.
Në konferencën e titulluar “Ngritja e një partneriteti strategjik” akad. Tole tha se, qëllimi i konferencës nuk është thjesht të nderojë këtë ngjarje jubilare, por edhe të spikasë arritjet e rrugës që kemi përshkuar bashkë gjatë një shekulli për ngritjen e një partneriteti strategjik në funksion të nxitjes dhe zhvillimit të një bashkëpunimi të shumanshëm, me dobi për të dy vendet.
Akademia e Shkencave dhe institucionet bashkëpunuese të saj u kanë kushtuar dhe u kushtojnë vëmendje të posaçme marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Turqisë, si dy vende mike, që ruajnë ndjenja të mira për njëri-tjetrin dhe që kanë trashëguar e zhvilluar në këto 100 vite nisma dhe projekte me interes të ndërsjelltë dhe me ndikim pozitiv edhe në raportet dhe ekuilibret ndërballkanike e më gjerë.
Pjesë e këtyre marrëdhënieve aktive janë edhe ato dypalëshë mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe TUBA-s, Akademisë së Shkencave të Turqisë.
Akademik Tole ka theksuar sidomos shkëmbimet dhe mbështetjen e shkencëtarëve të rinj nga të dy vendet. “Në mënyrë të veçantë ne jemi të interesuar për thellimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat e dijes, shkencës e artit, e posaçërisht në ato kulturore shqiptaro-turke, të cilat dëshmohen në trashëgiminë tonë materiale e shpirtërore, e në aspekte të tjera”, u shpreh akad. Tole. /atsh
/Shqip.com