Asambleja e Republikës Sërpska kërkon dorëheqjen e serbëve nga Kushtetuesja e Bosnjës

Asambleja e Republikës Sërpska (RS) miratoi të mërkurën, më 26 prill, konkluzionin, përmes të cilit u bën thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e popullit serb, të japin dorëheqjen.
Konkluzioni hyn në fuqi një ditë pas miratimit dhe zgjat, siç thuhet, derisa Asambleja e Republikës Sërpska të marrë një vendim tjetër.
Në favor të konkluzionit votuan 47 deputetë nga 68 sa ishin të pranishëm. Asambleja e Republikës Sërpska përbëhet nga gjithsej 83 deputetë.
Shkak për një vendim të tillë, siç deklaruan përfaqësuesit e partive në pushtet, janë veprimet “anti-Dejton” dhe “antikushtetuese” të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, duke iu referuar posaçërisht vendimeve të asaj gjykate për pronën shtetërore të Bosnje e Hercegovinës.
Asambleja i ngarkoi përfaqësuesit e Republikës Sërpska në institucionet e Bosnje e Hercegovinës që të përgatisin sa më shpejt Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilin do të përcaktohej përbërja pa gjyqtarë të huaj.
Kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq, theksoi gjatë debatit se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës mund të marrë vendime pa gjyqtarët serbë, por do të humbasë “ligjshmërinë dhe legjitimitetin”.
“Do të humbin gjysmën e Bosnjës dhe Hercegovinës, do ta humbin pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në atë institucion. Ashtu siç i mbajtën zgjedhjet në Kosovë me dy ose tre për qind pjesëmarrje dhe dolën vetëm 13 serbë. Por, zyrtarët evropian çdo mbrëmje garojnë duke thënë se kjo është legjitime, e pranueshme për ta. Kështu do të përpiqen të njohin edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Vishkoviq, raporton REL.
Lidhur me kërkesën që gjyqtarët nga Republika Sërpska në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës të japin dorëheqjen, u diskutua në kontekstin e konkluzioneve të Asamblesë së Republikës Sërpska nga 17 shkurti i vitit 2020, kur deputetët miratuan një dokument në lidhje me “aktivitetet anti-Dejton të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës”.
Aktualisht, në Gjykatën Kushtetues është vetëm një gjyqtar nga radhët e popullit serb, Zllatko Knezheviq, sepse mandati i Miodrag Simoviqit përfundoi nëntorin e kaluar kur ai mbushi 70 vjeç.
Asambleja e Republikës Sërpska nuk u mblodh për të zgjedhur një gjyqtar të ri.
“Nuk është e njëjta gjë nëse njeriu ynë është ulur atje apo njeriu ynë i bindet, respekton dhe zbaton përfundimin e Asamblesë së Republikës Sërpska”, theksoi Vishkoviq.
Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës përcakton që Asambleja e Republikës Sërpska i zgjedh dy gjyqtarë nga gjithsej nëntë në atë organ gjyqësor.
Seanca është mbajtur zyrtarisht me kërkesën e 29 deputetëve.
Folësi kryesor, Igor Zhuniq, sheg i Grupit Parlamentar të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, theksoi se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës është shndërruar nga një “mbrojtës i Kushtetutës në një kushtetutë-bërës”.
Zhuniq tha se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës është kthyer në një “faktor destabilizimi” dhe se ajo shërben si një “armë politike për shpronësimin” e Republikës Sërpska.
Zhuniq shtoi se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës, me vendimet e saj po përpiqet të konfiskojë pronën e Republikës Sërpska dhe se ky entitet nuk e ka dhënë pëlqimin për zgjerimin e Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës kur bëhet fjalë për pronën.
Si shembull, ai përmendi masën e përkohshme, me të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ndaloi zbatimin e Ligjit për pronën e paluajtshme, i cili përdoret për funksionimin e autoriteteve publike të Republikës Sërpska, gjë që, siç u theksua, është antikushtetuese.
/Shqip.com