Arrestohet punonjësi i stafit civil të Policisë në Gjilan, u kap me drogë

Dy persona, një prej tyre punonjës i stafit civil të policisë në Gjilan, është arrestuar mbrëmjen e së shtunës pasi që dyshohet se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur 0.6 gramë substancë narkotike që dyshohet se është kokainë, përcjell Shqip.com.
“Hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët pas pranimit të disa informacioneve përmes rrugëve operative – hetimore me dyshimin së në këtë rast ishte i përfshirë edhe një punonjës i policisë respektivisht një zyrtar i stafit civil i punësuar në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.
Hetuesit e IPK-së në këtë rast kanë aplikuar metoda dhe teknika të hetimit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur 0.6 gram substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe një sasi e konsiderueshme e pakove të cigareve me të cilat dyshohet se është bërë pagesa e substancës së dyshuar narkotike”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Sipas IPK-së, me vendim të prokurorit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./SHQIP.com